Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në burgun e Shkodrës, ku ka ndërruar jetë një 20-vjeçar.
Policia bën me dije se viktima është shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Ai ndodhej në burg që prej datës 7 tetor 2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më 10 tetor po të atij viti, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Sipas informacioneve paraprake, i riu është konstatuar nga personeli i shërbimit i shtrirë në shtrat, të cilët kanë sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit.
Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.
Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Koplikut, ku ka marrë ndihmën mjekësore të nevojshme, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, mjeku i urgjencës ka konstatuar se i riu ka ndërruar jetë.
Njoftimi i Plotë:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.
Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).
Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.





