Hilsn

Tragjike! Nusja humb jetën pak orë pas dasmes, ja cilat ishin fjalët e saj të fundit

Një histori dashurie dhe dhimbjeje ka prekur opinionin publik në Britani, pasi një nuse humbi jetën vetëm pak orë pas dasmës së saj.

Jade Tabrar, 37-vjeçare, u martua me partnerin e saj prej 19 vitesh, Adam Kemp, 42, më 3 nëntor, në një ceremoni të vogël familjare në shtëpi.

Çifti, që ishin njohur që fëmijë dhe kishin pesë fëmijë bashkë, vendosën të kurorëzonin dashurinë e tyre pasi Jade mori lajmin tragjik se kishte vetëm tre muaj jetë për shkak të kancerit në stomak.

Vetëm disa orë pas dasmës, Jade ndërroi jetë në krahët e bashkëshortit të saj.

“Më pa në sy dhe më tha se ishte e lumtur që më në fund ishte zonja Kemp dhe se kishte familjen e saj pranë. Pastaj uli kokën dhe e kuptova që shpirti i saj kishte ikur,” rrëfeu Adam me lot në sy.

Ai shtoi:

“Qëndruam aty, me kokat e mbështetura njëri te tjetri. I thashë ‘Të dua, e dashur. Është në rregull, mund të shkosh tani, s’ka më dhimbje.’
Ishte dita më e bukur e jetës sime dhe më e dhimbshmja njëkohësisht. U martova me gruan më të bukur në botë.”

Jade ishte diagnostikuar me kancer të stomakut në gusht të vitit 2023, pas muajsh dhimbjesh, humbje peshe dhe vështirësish gjatë shtatzënisë. Fillimisht mjekët menduan se simptomat vinin nga lodhja e shtatzënisë, por pas lindjes së djalit të saj, analizat zbuluan kancerin në fazë të avancuar.

Pavarësisht trajtimeve, sëmundja u përhap me shpejtësi në mitër dhe vezore. Adam tregon se Jade nuk u dorëzua asnjëherë, madje krijoi një “bucket list” për të realizuar disa ëndrra dhe për t’u siguruar që fëmijët e tyre të kishin Krishtlindjen më të bukur.

Por gjendja e saj u përkeqësua shpejt. Me ndihmën e stafit të hospisit, çifti organizoi ceremoninë martesore në shtëpi.

“Regjistruesja erdhi tek ne sepse Jade ishte shumë e sëmurë. E shtyva me karrocë deri në dhomë dhe u gjunjëzova pranë saj që të ishim në të njëjtin nivel. Ajo më fshiu lotët dhe më tha: ‘Mos qaj, të dua.’”

Të gjithë të pranishmit shpërthyen në lot, duke thënë se nuk kishin parë kurrë një martesë me aq shumë dashuri.

Pasi mysafirët u larguan, Adam ndihmoi Jade-n të vishte pizhame dhe biseduan për kujtimet e tyre më të bukura. Pak më vonë, frymëmarrja e saj ndryshoi.

Në orën 22:45, ajo mbylli sytë përgjithmonë, vetëm disa orë pasi tha “Po, pranoj”.

Faqja që Jade kishte hapur më parë për të mbledhur fonde për ëndrrat e saj, tani po përdoret për të ndihmuar familjen me shpenzimet e funeralit. /Prive By Liberta Spahiu

×