Belina Pupa, gruaja e aktorit të njohur Elvis Pupa, është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Australisë, pas akuzave për kultivim lëndësh narkotike në një banesë të regjistruar në emrin e saj.
Sipas dokumenteve gjyqësore, akuza për kultivim të lëndëve narkotike nuk do të ndiqet më, çka do të thotë se Pupa nuk shpallet fajtore dhe nuk do të dënohet për këtë çështje.
Pas këtij vendimi, Elvisi e ka ndarë lajmin në rrjetin e tij social Instagram, ku me anë të një story ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre muajve.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Mos paçi të tilla raste që t’jua shpërblejmë”, shkruan ai.
Belina Pupa u paraqit në gjyq në Australi në 23 maj të këtij viti, pasi dyshohej nga autoritetet australiane se ishte përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike dhe në lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Më vonë, në një deklaratë Belina tregoi se ambienti ku janë evidentuar shkeljet ligjore ishin në pronësi të saj por të dhëna me qira.