Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ka përfunduar në spital. Burime për mediat bëjnë me dije se qytetari i parë i Tiranës, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në qeli, është dërguar ditën e sotme me urgjencë në spitalin e Durrësit.
Sipas të njëjtave informacione mësohet se kryebashkiaku do t’i nënshtrohet disa analizave pasi ka shfaqur probleme me tensionin.
Për më tepër informacione dhe se si është gjendja shëndetësore e kryebashkiakut pritet në vijim një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve apo dhe nga avokatët e kryebashkiakut. Ndërkohë thuhet se gjatë 6 muajve të qëndrimit në paraburgimin e Durrësit ai ka humbur rreth 10 kg nga pesha trupore.
Kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.