Natalia Murati rezulton se është 18 vjeçarja që është vetëplagosur me armë zjarri pak pas mesnate në Tiranë, në një hotel në zonën e Saukut. Ajo i është nënshtruar një operacioni në kraharor gjatë natës dhe mjekët i kanë hequr predhën e plumbit.

Me aq sa mund të flasë në këto momente, e reja u ka thënë policëve në sallën e reanimacionit se ajo “kishte bërë shumë gabime në jetë” ndaj kishte tentuar vetëvrasjen me armën e të dashurit Erisjaldo Gjuta.

Megjithatë, kjo dëshmi është marrë me rezerva nga oficerët dhe grupi hetimor, ndaj studentja do të pyetet në një moment të dytë kur të ketë dalë nga salla e reanimacionit dhe mjekët të lejojnë marrjen e saj në pyetje për rrethanat e vetëplagosjes.

Në dhomën e hotelit ku është regjistruar ngjarja ka shkuar dhe shtetësja Mirvete Rexhmati (Gjuta), e cila është nëna e 22 vjeçarit. Ajo dhe një djalë tjetër i familjes Gjuta e kanë marrë vajzën dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital.

Ata janë porositur nga familjarët e tjerë të deklarojnë që “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”.

Ndërkohë, Sajmir Gjuta, djali i tij Erisjaldo Gjuta dhe kushëriri Elvir Gjuta kanë pastruar dhomën e hotelit nga njollat e gjakut dhe kanë fshehur armën e zjarrit. Sajmiri dhe djali i tij janë arratisur menjëherë më pas nga vendi i ngjarjes, kurse kushëriri i tyre pasi ka shkuar njëherë në spital.

Nga hetimi ka rezultuar se Natalia Murati ishte vetëplagosur në hotelin e familjes Gjuta në zonën e Saukut në Tiranë dhe deklarimi që shtetësja Mirvete Rexhmati (Gjuta) kishte dhënë në spital, te punonjësi i Policië, ishte i rremë dhe ajo është arrestuar.

Në pranga ka rënë edhe Vladimir Gjuta, një eksponent i njohur në qarqet policore të Tiranës. Edhe ai akuzohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbulimin e të vërtetës, pasi rezulton se është xhaxhai i 22 vjeçarit Erisjaldo Gjuta, i dashuri i vajzës.

Të pyetur më pas në ambientet e Komisariatit Nr.1, Vladimir Gjuta dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta) kanë deklaruar se fillimisht kanë treguar se “vajzën e kishin gjetur të plagosur te rrethi i Ekonomikut” sepse kishin pasur frikë se ajo mund të vdiste dhe ngjarja mund t’ju faturohej atyre.

Studentja 18 vjeçare në spital, Policia sqaron ngjarjen: Është vetëplagaosur me armë zjarri, pronarët e hotelit e dërguan në urgjencë, por kanë prishur provat (E PLOTË)
“Në vijim të veprimeve procedurale: u arrestuan në flagrancë shtetasit Vladimir Gjuta, 46 vjeç dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

U shpallën në kërkim shtetasit Sajmir Gjuta, 49 vjeç, dhe Elvir Gjuta, 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

© Newsbomb.al