Si të pastroni zorrën e trashë në mënyrë natyrale
Vitet e fundit gjithnjë e më shumë kemi dëgjuar të flitet se zorra është ‘truri ynë i dytë’
, dhe në fakt jo më kot, pasi shumë studime kanë treguar rëndësinë e këtij organi, si sistemi kyç qendror i organizmit tonë.
Ushqimet e pashëndetshme, por jo vetëm, bakteret, parazitët, etj, na bëjnë që të kemi një mosfunksionim të mirë të aparatit tretës dhe të mirëfunksionimit të zorrëve.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në “Rreze Dielli” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë disa receta dhe kura bimore për pastrimin natyral të zorrës së trashë.
Detoksifikimi i trupit çon në një mënyrë jetese të shëndetshme, shfryjmë barkun, luftojmë shqetësimet e zorrëve dhe zgjidhim shumë probleme të tjera shëndetësore, edhe ato që nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me zorrën e trashë.
“Së pari duhet të njohim faktorët që ndikojnë në mosfunksionimin e zorrës së trashë” thekson Merja si:
niveli i ulët i fibrave në dietën dietore, konsumimi i pakët i ujit, ankthi dhe stresi, medikamentet farmaceutike, parazitët, marrja e mikroelementeve K, Mg në doza të ulëta, sëmundjet nervore ndikojnë në kapsllëk apo sëmundjet e zorrës së trashë.
Një zorrë e trashë që nuk funksionon ashtu siç duhet sjell shumë probleme në organizëm, së pari kapsllëkun, i cili nësë bëhet kronik sjell mjaft pasoja negative, thekson Merja si:
· Në zorrë prodhohet toksina Guanadina që jep dridhje duarsh, epilepsi, etj
· Histamina e çliruar në zorrë jep kruarje trupi, njolla të zeza në trup, astmë
· Enjtje të sistemit të qarkullimit të gjakut në zorrë, bëhen si variçe
· Fryrje, dhimbje barku
· Shton nervozizëm dhe depresion
· Rrit nivelin e sheqerit në gjak
· Rrit tensionin
“Eshtë shumë e rëndësishme që kësaj problematike t’i japim vëmendjen e duhur. Revolucionarizo mendimin për jashtëqitjen, shtoni florën bakteriale, peristaltikën dhe luftoni parazitët” shprehet specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, duke treguar një kurë mjaft efikase:
· Pini në mëngjes një gotë ujë të ngrohtë me një lugë supe fara liri, një lugë supe uthull molle dhe 1 lugë çaji me fara chia
· Pini në mëngjes esëll 1 lugë çaji vaj recini
· Një mëngjes i shëndetshëm për zorrët: 1 gotë kos, 3 lugë gjelle muesli, 20 fije shafran, 1 kivi, 1/2 lugë supe fara liri
· Në darkë zieni në 200 ml ujë një dorë ake dhe një lugë gjelle drunakuq. Çaji pihet në darkë para buke. E pijmë këtë çaj për 7 ditë me rradhë dhe në këtë mënyrë kemi filluar shëndoshjen e zorrës dhe pastrimin qoftë dhe nga parazitët
· Çaj laksativ pihen 2-3 gota në ditë para buke, çaji me lule basani dhe me barin e majasillit janë të mrekullueshme pasi përveç se ndihmojnë në jashtëqitje shëndoshin dhe zorrën e trashë
· Çaji i dobësimit ‘Slim Tea’ 2-3 gota në ditë
· Zieni 2-3 minuta: 5-6 kumbulla, 1 lugë finok dhe 2 lugë fruta pylli në 0.5 litër ujë, këtë çaj pijeni gjatë ditës
· Konsumoni qershi 1 gotë, kumbulla ose fiq 5-6 copë
· Për fëmijët e vegjël: Hedhim në gjellë 1 lugë çaji finok dhe 1 lugë kafeje vaj liri. Ndërsa për dalje të shpejtë pas një kapsllëku vendos në anus sapun sa një kokërr lajthie dhe pak vaj ulliri.
Për pastrimin e zorrës së trashë dhe në rastet kur personi defekon 1 herë në 4-5 ditë veproni kështu:
· Për zbrazje të zorrës brenda 10-12 minuta bëjmë një klizmë në kushtet e shtëpisë: Tresim në 30 ml ujë të ngrohtë sapun rrobash sa 2 kokrra lajthie. Shtojmë një lugë supe me vaj ulliri. Marim një shiringë me volum 50 ml dhe e fusim tretësirën në fundin e zorrës së trashë.
· Për fëmijët 3-5 vjeç përgjysmojmë sasinë e mësipërme.
· Pasi është zbrazur zorra me klizmën vazhdojmë të përmirësojmë funksionin e zorrës me çajrat e mësipërm.
Për personat që kanë një zorrë dembele është mirë që të shmanget orizi dhe të konsumohet kosi që ka probiotik, supa e pulës është e mrekullueshme, kivi është një frut që shton peristaltikën e zorrës, pasi ka substanca antioksiduese që na ndihmojnë në largimin e radikaleve të lira, siç janë dhe kumbullat, fiqtë, boronicat. Perimet e gjelbëra si brokoli, lakrat, janë shumë të mira, por duhet patur kujdes në përzgjedhjen e tyre, shprehet Merja, që të jenë pa prani të madhe kimikatesh. Zgjidhini perimet sa më të vogla, aq më të mira. Hithrat dhe mëllaga e zezë gjithashtu janë shumë të mira. Në mëngjes kosi me musli, fara ose vaj liri apo chia nuk duhet të mungojë për një shëndet sa më të mirë./Shqiptarja.com